Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në Dishnicë të Korçës, mbi 60 forca në terren për të ndalur përhapjen drejt Çardhakut



Vijon me intensitet përpjekja për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë fshatin Dishnicë në bashkinë e Korçës, që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Që prej orës 05:00, mbi 60 forca të shërbimeve zjarrfikëse, pyjore, të ushtrisë dhe të Njësisë Administrative janë angazhuar në terren për të vënë nën kontroll flakët dhe për të hapur korridore mbrojtëse, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonës së Çardhakut.

Situata mbetet kritike, për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës së fortë, që po vështirësojnë ndërhyrjen. Megjithatë, forcat në terren janë të angazhuara maksimalisht për izolimin dhe shuarjen sa më të shpejtë të vatrës.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgjegjësi maksimale, për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në zonat pyjore.