Vendosni fjalën kyçe....

Begaj dhe Rama urojnë besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin


Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë urimet e tij të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe më gjerë. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai e cilësoi Kurban Bajramin si një ditë të shenjtë ku sakrifica dhe besimi në Zot marrin kuptim të thellë shpirtëror.

“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot.
Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.
Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre!
Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!”, shkruan Begaj në postimin në rrjetet sociale.

Edhe Kryeministri Edi Rama iu bashkua urimeve përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetet sociale: “Gëzuar Kurban Bajramin.”

Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që simbolizon bindjen ndaj Zotit dhe solidaritetin me më të varfrit. Në këtë ditë, besimtarët myslimanë kryejnë rite fetare dhe ndajnë ushqim me të afërmit dhe komunitetin.