
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Tiranë Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i cili ndodhet për një vizitë të shkurtër në Shqipëri.
Gjatë takimit, Rama e cilësoi ardhjen e Presidentit si një nder për vendin, duke vënë në dukje se kjo është vizita e dytë e tij në një periudhë të shkurtër kohe. “Është nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë për herë të dytë në një kohë kaq të shkurtër,” u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Më tej, Rama përdori një ton të ngrohtë për të përshkruar marrëdhënien me liderin e Emirateve: “Prania juaj ndihet si ajo e një të afërmi të dashur, që kthehet për të parë nëse gjithçka është mirë në shtëpinë e të afërmve të vet.”
Sheikh Mohammed bin Zayed mbërriti në Shqipëri në kuadër të marrëdhënieve në rritje mes dy vendeve, të cilat janë forcuar vitet e fundit përmes bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve të përbashkëta strategjike.