Vendosni fjalën kyçe....

Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë mes përpjekjeve për armëpushim në Gaza


Presidenti amerikan Donald Trump do të presë sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një takim që zhvillohet në sfondin e bisedimeve të vazhdueshme të ndërmjetësuara për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, përcjell Guardian.

Takimi vjen teksa negociatat indirekte mes palëve kanë hyrë në ditën e dytë, ndërkohë që Trump ka rritur presionin për arritjen e një marrëveshjeje në javët e fundit, duke sugjeruar se një armëpushim mund të shpallet “brenda orësh apo ditësh”.

Hamasi vazhdon të kërkojë tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza, ndërsa Netanyahu ngul këmbë në çarmatimin e plotë të Hamasit – një kusht që ende mban të bllokuara bisedimet.

Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, “prioriteti maksimal për presidentin aktualisht në Lindjen e Mesme është përfundimi i luftës në Gaza dhe kthimi i të gjithë pengjeve në shtëpi”. Ajo e dha këtë deklaratë vetëm pak orë para një darke private mes dy liderëve.