
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar me tone ironike dhe sfiduese pas publikimit të një tjetër episodi të dyshuar korrupsioni nga SPAK, që lidhet me përdorimin e një karte bankare të dhuruar nga biznesmeni Ardian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit, për shpenzime nga çifti Meta-Kryemadhi.
Në një reagim në Facebook, Meta mohoi çdo përfshirje në akte të paligjshme dhe u distancua nga akuzat duke i cilësuar si pjesë të një fushate të orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.
“Asnjë akt i paligjshëm nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër,” theksoi ai.
Meta deklaroi se ai mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta dhe jo për kushërinjtë apo persona të tjerë të lidhur me të.
“Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër. Aq më pak për kushërinjtë e tij, nga të cilët njëri paska qenë edhe mik i Charles McGonigal,” u shpreh ai, duke iu referuar ish-zyrtarit të FBI-së që ka qenë i përfshirë në hetime të mëhershme për korrupsion.
Meta ironizoi edhe faktin se pavarësisht ndarjes ligjore me Monika Kryemadhin, ai vazhdon të trajtohet si “i martuar” nga drejtësia shqiptare.
“E kuptoj pasionin e Altin Dumanit për të më mbajtur çift me Monikën me zor. Edhe në akuzën e 27 majit më kishin statusin ‘i martuar’, kur realisht nuk është më kështu prej më shumë se një viti,” shkruan ai.
Ai u shpreh se procesi gjyqësor duhet të jetë i hapur për publikun dhe jo “si listat e mbyllura”, duke theksuar se atje do të çmontohen të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Në fund, Meta përmendi edhe çështjen e lobimeve dhe hetimet që lidhen me Charles McGonigal, duke pyetur publikisht nëse është dërguar letërporosia për të, apo “po vonon ngaqë e kanë nisur me not”.
Meta falënderoi edhe avokatin e tij, Kujtim Cakrani, për atë që e cilësoi si “mbrojtje të shkëlqyer dhe parimore”.