
Erion Alibej ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, duke pranuar përfshirjen e tij në trafikun e kokainës, por duke mohuar çdo lidhje me vrasjet e dyshuara në dosjen “Plumbi i Artë”.
Ai ka rrëfyer se kishte bashkëpunuar me Endritin dhe një shtetas turk për të transportuar 530 kg kokainë nga Ekuadori në Turqi, duke e cilësuar këtë si një investim të madh. Sipas tij, komunikimet për këtë aktivitet kryheshin përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC.
Alibej ka treguar se dy personat kryesorë të kësaj ngarkese, Endriti dhe shtetasi turk, u vranë, duke e rrënuar ekonomikisht. Ai ka përmendur edhe emrin e Suel Çelës, duke pretenduar se ky i fundit kishte interes që Endriti të largohej nga loja.
Gjithashtu, Alibej ka hedhur dyshime mbi integritetin e autoriteteve vendore, duke deklaruar se ka prova për korrupsion në Prokurorinë e Elbasanit dhe Policinë.