
Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar krijimin e një “aleance të re pozitive” mes vendeve evropiane dhe atyre aziatike, të ndërtuar mbi parime të përbashkëta si siguria, mbrojtja dhe tregtia, larg përplasjes mes dy superfuqive kryesore botërore – Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Duke folur të premten në Dialogun e Sigurisë Shangri-La në Singapor, Macron e cilësoi ndarjen mes SHBA-së dhe Kinës si kërcënimin më të madh aktual për rendin ndërkombëtar, ndërsa paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që vjen nga Rusia dhe Koreja e Veriut. Ai theksoi rëndësinë që aleatët të veprojnë së bashku për të ruajtur besueshmërinë përballë agresorëve.
“Jetojmë në një kohë krizash dhe kemi nevojë për mënyra të reja bashkëpunimi. Sfida jonë kryesore është si të ruajmë paqen, stabilitetin dhe begatinë në këtë mjedis të paqëndrueshëm,” tha Macron në fjalimin e tij kryesor.
Ai kritikoi shtetet që kërkojnë të imponojnë “sfera ndikimi që në fakt janë sfera shtrëngimi”, duke aluduar për përpjekjet për kontroll nga periferitë e Evropës deri në Detin e Kinës Jugore dhe përpjekjet për përvetësimin e burimeve natyrore.
Macron paralajmëroi se vendosja për të zgjedhur mes dy superfuqive do të ishte një gabim fatal për rendin global:
“Nëse e ndjekim këtë logjikë, shkatërrojmë rendin botëror dhe institucionet që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore për të ruajtur paqen.”
Ai nënvizoi se edhe pse Franca mbetet një aleate e SHBA-së, nuk dëshiron të jetë e varur nga “vendimet e një individi të vetëm”. Macron shtoi se “jetojmë në një kohë kur aleancat tradicionale janë dobësuar”, gjë që po sjell një epokë të re pasigurie.
Për sa i përket kërkesës së administratës Trump që aleatët të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë, Macron u shpreh se kjo ishte një kërkesë “e drejtë” dhe se Evropa duhet “të bëjë shumë më tepër për veten e saj”.
Në sallë ndodhej edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili më herët kishte kritikuar Evropën duke e quajtur “parazitare” në një bisedë private me zyrtarë të tjerë amerikanë.
Macron kritikoi gjithashtu qëndrimin e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë dhe standardet e dyfishta për Gazën, duke paralajmëruar se tolerimi i pasojave humanitare në rajon rrezikon të minojë kredibilitetin e Perëndimit.
“Në rrezik është rendi botëror dhe besueshmëria jonë për ta mbrojtur atë,” tha ai.
Franca ka kërkuar që vendet evropiane të kenë një qëndrim më të fortë ndaj Izraelit nëse nuk përmirësohet situata humanitare në Gaza. Kjo ka ngjallur reagime të ashpra në Izrael, ku ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e akuzoi Macron për “një kryqëzatë kundër shtetit hebre”.
Dialogu Shangri-La mbledh çdo vit zyrtarë të lartë nga vendet anëtare dhe forcat e armatosura për diskutime mbi sigurinë ndërkombëtare. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë Kina nuk ka dërguar ministrin e saj të Mbrojtjes, duke përfaqësuar veten vetëm me një delegat nga Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Ushtrisë Popullore.
Mungesa e ministrit është interpretuar nga disa si një mundësi e humbur për Kinën për të forcuar marrëdhëniet me vendet e tjera, ndërkohë që raportet SHBA-Kinë janë tensionuar që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Analistët vërejnë gjithashtu se në konferenca të kaluara Kina është përballur me kritika të shumta.
Megjithatë, Zhou Bo, një kolonel në pension i ushtrisë kineze dhe pjesëmarrës në konferencë, tha për The Guardian se mungesa e ministrit nuk ishte e pazakontë dhe se Kina ka shumë platforma të tjera për të shprehur qëndrimet e saj.