Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Beteja për votën e lirë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë të fortë për mediat, akuzoi qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për “terrorizëm elektoral” dhe bashkëpunim me krimin e organizuar gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.

Blushi e cilësoi këtë proces si një dëshmi të kapjes totale të shtetit dhe dështimit të SPAK si institucion i pavarur.

Sipas tij, në vend që të ishin në burg, kriminelët morën pjesë në fushatë, duke blerë vota, kërcënuar qytetarë dhe imponuar rezultatet.

“Kriminelët që duhej të ishin në burg, ishin në fushatë, duke blerë vota, kërcënuar qytetarë dhe imponuar rezultatet“, theksoi ai.

Ai akuzoi SPAK-un se jo vetëm që nuk mbrojti zgjedhjet, por edhe që “rrëmbeu në mënyrë kriminale” presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e izoluar dhe shantazhuar politikisht, në funksion të agjendës së Edi Ramës.

Në vijim, Blushi vuri në pah se më 11 maj, SPAK lehtësoi dhe toleroi qëllimisht veprimtarinë kriminale të grupeve që kontrolluan procesin zgjedhor për interes të kryeministrit, të cilin ai e quajti “narkokryeministër”.

“Task-Forca e SPAK, e ngritur për hetimin e krimit zgjedhor, nuk ishte gjë tjetër veçse një gjymtyrë e shëmtuar e Edi Ramës për të goditur opozitën dhe për të justifikuar vjedhjen e mandateve dhe votës së qytetarëve nëpërmjet terrorizmit elektoral të narkoshtetit”, deklaroi Blushi.

Ai përmendi rastin e Vorës, ku sipas tij, qendrat e votimit u morën peng nga bandat dhe “Task Forca” e SPAK nuk ndërhyri, madje nuk u pa as kur drejtues të opozitës u kërcënuan me jetë para mediave.

Blushi përmendi edhe operacionin “URA”, të zhvilluar së fundmi nga autoritetet shqiptare dhe italiane, duke ngritur dyshime mbi vonesat në ekzekutimin e masave të sigurisë:

“Pse masat e sigurimit ndaj personave të dyshuar u ekzekutuan vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor, megjithëse hetimi kishte avancuar dhe ekzistonte një rrezik i qartë arratisjeje?”, pyeti ai.

Ai ngriti shqetësime të tjera serioze për rrjedhje të mundshme informacioni, mungesë vullneti për ndërhyrje, si dhe për ndikimin e grupeve kriminale në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve përmes financimit të paligjshëm dhe frikësimit të votuesve.

“Terrorizmi elektoral i narkoshtetit më 11 maj dhe amnistimi i krimeve elektorale nuk do të pranohen kurrë”, u shpreh Blushi.

Në përfundim, ai theksoi se:”Beteja për votën e lirë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari, për vlerat e lirisë dhe të demokracisë, për instalimin e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit.”