
Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi të mërkurën se shkarkimi i kreut të Shabak (Shërbimi i Sigurisë së Brendshme), Ronen Bar, ishte i paligjshëm, pavarësisht se Bar kishte deklaruar më parë se do të largohej nga detyra.
Gjykata vendosi gjithashtu se kryeministri Benjamin Netanyahu ndodhet në një konflikt interesi për shkak të hetimeve në kuadër të çështjes së njohur si “Qatargate”.
Vendimi erdhi pas kërkesave të paraqitura nga vetë Bar dhe nga Prokurorja e Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, të cilët kërkuan sqarim ligjor mbi marrëdhënien mes kryeministrit dhe kreut të Shabak-ut, sipas Ynetnews.
Qeveria kërkoi që peticionet të hidhen poshtë, duke argumentuar se kishin humbur relevancën pasi vendimi për shkarkimin ishte anuluar.
Presidenti i Gjykatës së Lartë, Yitzhak Amit, shkroi në vendim:
“Organet e sigurisë në Izrael, përfshirë Shabak-un, janë të ngarkuara me ruajtjen e shtetit, qytetarëve të tij dhe rendit demokratik. Kreu i Shabak-ut i detyrohet besnikëri publikut – jo ndonjë partie politike apo kryeministri të veçantë.”
Amit theksoi se kjo besnikëri ndaj publikut nuk bie ndesh me zbatimin e politikave qeveritare, por përkundrazi, forcon sundimin e ligjit.
Në opinionin kundërshtues, zëvendëspresidenti i Gjykatës së Lartë, Noam Sohlberg, argumentoi se çështja ishte bërë e pavlefshme pas tërheqjes së vendimit për shkarkimin. Por Amit tha se një vendim ishte i nevojshëm për të penguar abuzime të ngjashme në të ardhmen.
Ai theksoi gjithashtu se qeveria veproi në kundërshtim me ligjin duke mos e konsultuar komisionin këshillues për emërimet në shërbimin publik, siç parashikon vetë politika zyrtare e saj.
Vendimi për të shkarkuar Bar-in, shtoi ai, ishte i pajustifikuar dhe u mor pa prova, pa dëgjuar palën dhe në kushtet e një konflikti interesi – të gjitha këto arsye të mjaftueshme për ta shpallur të paligjshëm.
Gjykata hodhi poshtë pretendimin e qeverisë se drejtori i Shabak nuk është një “rojtar i rendit demokratik”, duke theksuar se ai është një figurë kyçe për të parandaluar abuzimin me pushtetin dhe duhet të veprojë në mënyrë të pavarur, pavarësisht mbikëqyrjes politike.
Prokurorja e Përgjithshme kundërshtoi kërkesën e qeverisë për hedhjen poshtë të peticioneve dy javë më parë, duke argumentuar se çështjet ligjore mbi rolin e kreut të Shabak dhe procedurat për përfundimin e mandatit të tij ishin ende të pazgjidhura.
Qeveria kishte deklaruar se e kishte humbur besimin te Bar që pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, por jo për shkak të performancës së tij gjatë sulmit apo luftës aktuale.
Përpara se të përfundonte procesi ligjor, Netanyahu njoftoi se do të emëronte ish-komandantin e marinës, gjeneralmajorin në rezervë Eli Sharvit, në vend të Bar-it, por propozimi u tërhoq një ditë më vonë pas reagimeve të forta nga e djathta për shkak të qëndrimeve të mëparshme kritike të Sharvit ndaj qeverisë dhe politikës klimatike të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Ronen Bar pritet të largohet zyrtarisht nga posti më 15 qershor.