Vendosni fjalën kyçe....

Edmond Budina ka një kërkesë për kryeministrin: Më lër të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar


Regjisori dhe aktori Edmond Budina, ka një thirrje për kryeministrin Edi Rama. Pranë truallit të Teatrit Kombëtar, Budina tha në një deklaratë për mediat se kishte një kërkesë për kryeministrin Edi Rama, të vinte në skenë një shfaqje në truallin e Teatrit të shembur.

“Ky është vendi i shenjtë ku është luajtur teatër profesionist.” – thotë Budina, i pyetur nga gazetarët se përse kërkon ta realizojë shfaqjen pikërisht në truallin e Teatrit.

Budina theksoi se gjithçka do bëhej konform rregullave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për t’u mbrojtur nga Covid-19.

“Meqenëse ju jeni pronar i hapësirave publike dhe i keni njohur të drejtën vetes të transferoni pronësinë nga pushteti qëndror në atë lokal, po ashtu sikundër unë legjitimohem në të drejtën kushtetuese të ushtrimit të profesionit dhe të fjalës së lirë, ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, që për qytetarët ka qenë konsideruar përherë si një hapësirë lirie.

Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotov, armë, por vetëm art. Po ashtu ju siguroj që shfaqja do të jetë konform rregullave dhe protokollit të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga Covid-19, duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve.”- tha Budina.

Më pas ai i thotë kryeministrit Rama se nëse ka shqetësime për përmbajtjen mund t’ja lërë në dispozicion, si dhe e fton të marrë pjesë si spektator.

“Nëse është në rutinën tuaj të kontrolloni më parë tekstin, konceptin regjizorial ose çdo lloj informacioni, unë jam i gatshëm t’jua vë në dispozicion. Po ashtu nuk hezitoj t’ju ftoj të merrni pjesë në shfaqje, natyrisht si spektator.

Në momentin e parë që ai do të na lejojë si pronar i këtij vendi. Shfaqjen e kam gati dhe mund ta realizoj në çdo moment.”- thotë Budina.

Regjisori tha se shfaqja titullohet “Profeti i Kokoshkave” dhe është shkruar nga ai, vihet në skenë nga ai, dhe interpretohet nga ai. Dhe kjo është një ide që i ka lindur gjatë izolimit për shkak të pandemisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *