
Prokurori i Posaçëm Sotir Kllapi, i shoqëruar nga agjentë të BKH dhe oficerë të Policisë së Fierit, ka zhvilluar një sërë vëzhgimesh në disa zona të qarkut të Fierit, në kuadër të monitorimit të procesit zgjedhor. Një nga zonat e vizituara ka qenë edhe Roskoveci, ku prokurori Kllapi ka inspektuar situatën për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të pastër dhe pa shkelje.
Përveç Kllapit, në këtë operacion ka marrë pjesë edhe prokurorja tjetër e SPAK, Doloreza Musabelliu, e cila është e deleguar për të mbikëqyrur çështjet e krimeve zgjedhore në këtë qark.
Sipas informacioneve të deritanishme, nuk janë raportuar shkelje gjatë vëzhgimit nga prokurorët e Posaçëm. Ata kanë konfirmuar se do të mbeten të pranishëm deri në përmbylljen e procesit të numërimit të votave, për të siguruar integritetin e tij.
Ndërkohë, prokuroria e Fierit ka regjistruar deri tani pesë procedime penale për krime zgjedhore, duke e theksuar angazhimin e institucioneve për një proces të rregullt dhe transparent.