
Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim të ri penal në SPAK për aferën korruptive të Eco Park në Durrës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në këtë projekt, që sipas PD-së, ka sjellë një dëm prej 1.9 miliardë lekësh për buxhetin e shtetit. Në deklaratën publike të bërë nga zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, thuhet se Rama ka qenë i përfshirë në krijimin e kompanisë projektuese për Eco Park që përpara se të hapej procedura zyrtare e tenderit.
Sipas kallëzimit, kryeministri ka bashkëpunuar me koncesionarin e inceneratorit të Tiranës, duke vepruar në mënyrë të paligjshme për të favorizuar kompani të caktuara dhe për të shmangur detyrimet tatimore dhe procedurat standarde ligjore. PD i referohet edhe një videoje të publikuar së fundmi nga SYRI TV, ku Rama shfaqet në kantierin e Porto Romanos, më datë 7 dhjetor 2019, në një takim me Elton Buallin, drejtues i kompanisë së inceneratorit të Tiranës. Në këtë video, ai shihet duke dhënë urdhra për nisjen e punimeve në Eco Park, ndonëse tenderi nuk ishte mbyllur ende.
Sipas Partisë Demokratike, projektuesi i parkut, arkitekti Casanova Hernandez, ishte angazhuar nga qeveria gjashtë muaj para se të hapej tenderi për ndërtimin e Eco Park në Porto Romano, ndërkohë që më pas procedura u hap nga AKUM në tetor të vitit 2019. Më 2 dhjetor, Ministria e Financave kërkoi anulimin e tenderit për shkak të emergjencës së tërmetit, por në të njëjtën ditë, Edi Rama, si kryetar i Komitetit të Emergjencave, urdhëroi që mbetjet e tërmetit të depozitoheshin në zonën ku do ndërtohej parku, duke hapur kështu rrugën për një procedurë të përshpejtuar. Brenda pak ditësh, kontrata u firmos me kompanitë “De Mare srl” dhe “Victoria Invest”.
Në deklaratën e saj, PD shton se kompanitë e inceneratorëve kishin filluar punën në kantierin e Porto Romanos përpara përfundimit të tenderit, dhe kjo, sipas saj, dëshmon qartësisht se procesi ishte i paracaktuar dhe i ndikuar politikisht. Në kallëzimin e dorëzuar përmendet edhe kompania “Casanova Hernandez Architects”, e cila rezulton të ketë përfituar 21 projekte të mëdha në Shqipëri, me një vlerë totale rreth 949 mijë euro, përfshirë edhe projektin e Eco Park Durrës.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet mbi këtë aferë, duke theksuar se pas skemave të paligjshme dhe dëmeve ndaj buxhetit të shtetit qëndron vetë Edi Rama. Sipas PD, videoja, dokumentet dhe emrat e përfshirë janë provat e qarta të një afere të mirëorganizuar, për të cilën drejtësia duhet të flasë pa vonesë.