
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deklaroi se Shqipëria renditet ndër vendet më të sigurta në rajon, sipas vlerësimeve të udhërrëfyesve dhe mediave ndërkombëtare.
Sipas saj, vendi ka mirëpritur rreth 12 milionë turistë gjatë vitit, ndërsa shumë qytetarë të huaj po investojnë dhe blejnë prona në Shqipëri. Ministrja theksoi gjithashtu se “Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza”.
“Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza”, tha Koçiu.
Në raportimin e saj, ministrja nënvizoi se numri i krimeve të rënda ka rënë ndjeshëm, me vetëm 29 vrasje me dashje në nëntëmujorin e parë të vitit, nga 41 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë”, tha Koçiu.