Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Tiranës/ SPAK kërkon 5 vite burg për Alqi Bllakon dhe përjashtim nga funksionet publike


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar shpalljen fajtor të ish -deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Organi i akuzës kërkon që  Bllako të dënohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendore.

SPAK  kërkon për Alqi Bllakon dëmin me 5 vite burg dhe 5 vite jashtë funksioneve publike.

Seanca e radhës për ish deputetin socialist Bllako është planifikuar të mbahet në datën 7 mars, ku do të shprehet edhe mbrojtja, më pas do të shpallet vendimi.

Kujtojme qe në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhërat e parë të arrestit për inceneratorin e Tiranës, përfshirë dhe Bllakon, ish ministrin  e Mjedisit Lefter Koka si dhe dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Të katër ishin mes të akuzuarve dhe në rastin e dy inceneratorëve të tjerë, në Elbasan dhe Fier.

Në gusht të vitit 2024, ndërsa mbylli hetimet për pjesën dërrmuese të të arrestuarve, Prokuroria veçoi prej tyre, çështjen e Bllakos.

Ai u arrestua në mars të vitit 2022, fillimisht për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Fierit, ku u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” në dy raste, dhe u dënua në vitin 2023 me 4 vjet burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u konvertua në 2 vjet e 8 muaj. Por në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Posaçme e Apelit e riktheu çështjen për rigjykim, me një tjetër trupë gjyqtarësh.

Akuza për “shpërdorim detyre” ishte ngritur më pas ndaj tij dhe për rastin e Elbasanit, por Gjykata e Posaçme e kishte shpallur atë të pafajshëm. Por nën nëntor të vitit 2024, Apeli i Posaçëm, e shpalli sërish atë fajtor, duke e dënuar po me 4 vjet burgim, të konvertuara në 2 vjet e 8 muaj.