“Pushteti i katërt ka segmente shumë të korruptuara deri në kriminale” ishte akuza e rëndë që bëri Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp me drejtorin e Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas.
Rama theksoi në akuzat e tij se këto segmente të medias bëjnë pastrim dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha.
Këto deklarata Rama i bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të BIRN mbi korrupsionin në qeverisje.
Sipas Ramës korrupsioni në media është i bazuar te shantazhimi, gjobvënia ndaj bizneseve dhe aktorëve publikë.
“Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale. Pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha.
“Është korrupsion i një niveli kriminal, sepse është i bazuar te shantazhimi, është i bazuar te gjobvënia e bizneseve, gjobvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare, të padeklaruara kuptohet se janë kriminale” tha Rama, ndërsa shtoi se “jo e gjithë media është kështu”.
