Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në gjykatë Donald Trump


Ish-presidenti Donald Trump arrestohet në Gjykatën e Manhatanit.  

Ai sapo ka mbërritur në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhattanit, ku ndodhet në paraburgim policor përpara se të jepet vendimi për të.

Trumpit pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve dhe më pas, ai do të dërgohet në një sallë gjyqi, ku do të gjykohet.

Sipas raportimeve Donald Trump nuk do të vihet nën pranga por do të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo për shkak se duke qenë ish-President, Trump mbahet ende në ruajtje nga Shërbimi Sekret dhe nuk ka gjasa që të arratiset apo të përpiqet që të dëmtojë hetimet ndaj tij.

Ai do të dalë në sallën e gjyqit, ku dhe do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij. Por gjykatësi nuk ka lejuar që në sallën e gjyqit të jenë të pranishme mediat dhe raportohet se nuk do të ketë asnjë fotografim të tij.

Trump ka reaguar në rrjetet sociale, teksa i drejtohej Gjykatës së Manhatanit. Në “Truth Social”, ai u shpreh se kjo që po i ndodhte i dukej surreale dhe nuk i besohej se diçka e tillë po ndodh në SHBA, shkruan CNN.

“Duke u nisur për në Gjykatën e Manhatanit. Duket kaq surreale, ata do të më arrestojnë. Nuk mund të besohet se kjo po ndodh në Amerikë”, shkroi Trump.

Ish-Presidenti akuzohet për mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë Dollarësh të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që Trump dyshohet se ka pasur me të në 2006.