Vendosni fjalën kyçe....

Evi Kokalari: Shqipërisë nuk mund t’i imponosh një lider me urdhër nga jashtë, mos i besoni askujt që i justifikon ndërhyrjet në emër të SHBA-ve


Aktivistja Evi Kokalari ka mbajtur një fjalim përpara delegatëve të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku u ka bërë thirrje demokratëve të mos i besojnë askujt që i justifikon ndërhyrjet në politikën shqiptare se po i bëjnë në emër të SHBA-ve.

Kokalari theksoi se cdo tentativë për të cenuar opozitën në një vend mikpritës, nuk është në linjë me vlerat demokratike amerikane dhe cenon rëndë interesin amerikan.

Ajo tha se i vjen turp me mënyrën se si është prezantuar Amerika në vitet e fundit, duke iu referuar ambasadores Yuri Kim.

Lulzim Basha u kontrollua dhe u këshillua në vetëvrasje politike. Fatkeqësia e tij në fakt ishte bekimi ynë.

Dhe ky Kuvend është pikërisht falë atyre që llogaritë i bënë gabim që ditën e parë.

Shqipërisë nuk mund t’i imponosh një lider me urdhër nga elementët e huaja, sepse ne jemi pasardhës të Gjergj Kastriotit. Kjo është tokë e Ilirëve dhe e Shqiponjave. Ne jemi njerëz të zakoneve dhe të kanunit dhe ne jemi njerëz mikpritës dhe njerëz të besës që ne nuk mund të lëmë kurrë t’i ndodhë kurrë miqve tanë por fatkeqësisht ka raste që kjo mikpritje keqkuptohet dhe merret për naivitet dhe dobësi dhe abuzohet deri në pikën që ne jemi të detyruar t’i tregojmë vendin që meritojnë miqve problematikë.

Ky gen shqiptar është shumë i fortë në ADN-në time gjithashtu dhe është ky gen që më ka kthyer në Shqipëri, për të dhënë sadopak ndihmë por fatkeqësia e madhe ishte se përgjatë gjithë procesit kuptova që së pari po prekeshin interesat e vendit tim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çdo emigrant që është bërë shtetas amerikan nëpërmjet procesit të natyralizimit dhe kam shoqe në këtë betejë, që kanë kaluar të njëjtin proces si unë e dinë shumë qartë se besnikëria jonë i përket Amerikës dhe jo interesave të veçanta.

Çdo njëri nga ne është betuar që do të mbrojë SHBA nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, e pra George Soros është armik i Amerikës dhe i vlerave të saj. Ai është armik i vlerave thelbësore mbi të cilat Amerika u ndërtua, është armik i lirisë së fjalës dhe i lirive dhe bindjeve politike të cilat në thelb janë themeli i pluralizmit.

Çdo tentativë për të cenuar opozitën në një vend mikpritës, nuk është në linjë me vlerat demokratike amerikane dhe cenon rëndë interesin amerikan nëpër botë sepse amerikanët besojnë në radhë të parë ‘America first’ dhe janë kundër ndërhyrjeve në vendet e tjera. Mos i besoni askujt që këto ndërhyrje i bëjnë në emër të SHBA-ve, mos i besoni askujt që mundohen t’ju hedhin kundër Amerikës ndërkohë që ju klasifikojnë juve si antiamerikanë sepse nuk jeni dakord me këto ndërhyrje absurde.

Personalisht më vjen turp kur shikoj nivelin se si është prezantuar Amerika këto vitet e fundit, por më vjen akoma më turp kur shoh se si ishte katandisur PD, ajo që duhej të prezantonte konservatorizmin në Shqipëri.”– tha Kokalari.