Vendosni fjalën kyçe....

Një javë para zgjedhjeve BE vë në shënjestër rivalen e Macron, e akuzon për keqpërdorim fondesh


Akuzat për përvetësim janë ngritur ndaj kryetares së kandidates presidenciale në Francë Marine Le Pen dhe ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë, vetëm një javë përpara se politikania 53-vjeçare ‘të kryqëzojë shpatat’ me presidentin e tanishëm Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze të 24 prillit.

Të shtunën, gazeta investigative franceze në internet ‘Mediapart’ publikoi një pjesë të një raporti 116 faqesh të shkruar nga Zyra Kundër Mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF), e cila pretendon se Le Pen, babai i saj, Jean-Marie Le Pen, ish-partneri i saj, Louis Aliot , dhe një tjetër figurë e lartë në parti, Bruno Gollnisch, keqpërdorën afro 620,000 euro të fondeve të BE-së gjatë kohës së tyre si anëtarë të Parlamentit Evropian.

Sipas raportit, liderët e partisë ‘National Rally’ i përdorën eurot për qëllime partiake. ‘Mediapart’ përmendi raste të përvetësimit të supozuar nga ana e Le Pen, në të cilat ajo, ndër të tjera kishte përdorur fondet e BE-së për të paguar dhomat e hoteleve për mbi një duzinë anëtarësh të partisë që merrnin pjesë në një konferencë.

Raportohet se OLAF ia përcolli gjetjet e saj autoriteteve franceze në mars, me zyrën e prokurorit publik të Parisit që konfirmoi se materialet ‘po shqyrtoheshin’.

Marine Le Pen dhe njerëzit e tjerë të përmendur në raport kanë mohuar çdo keqbërje.

Duke folur për mediat franceze, avokati i Le Pen, Rodolphe Bosselut, shprehu shqetësimin për ‘mënyrën se si po vepron OLAF’, duke këmbëngulur se disa nga ngjarjet e përmendura në dokument ishin ‘fakte të vjetra, më shumë se 10 vjet të vjetra’.

Bosselut gjithashtu vuri në dukje se vetë Le Pen nuk i është dhënë mundësia të njihet me raportin përfundimtar, duke shtuar se hetimi filloi në vitin 2016. Ai arriti në përfundimin se akuzat janë një manipulim.

Një zëdhënës i partisë ‘National Rally’ vuri në pikëpyetje kohën e pretendimeve, të cilat u shfaqën një javë para se Le Pen të përballet me Macron në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 24 prill.

Nga 12 kandidatët që konkurrojnë në raundin e parë të zgjedhjeve më 10 prill, vetëm Macron dhe Le Pen kaluan në balotazh, me përkatësisht 27.85% dhe 23.15% të votave. Kjo është hera e tretë që Le Pen kandidon për presidente.