Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ndaj kreut të LDK-së Isa Mustafa, ku i thotë se ai ka rënë pre e titujve të deformuar në media, pasi ai nuk e ka quajtur tinëzar gjatë intervistës së mbrëmshme.
Ai shtoi se ka thënë vetëm që Mustafa është pro Shengenit Rajonal.
“Ja kështu është kur njeriu bie pre e titujve të deformuar, sepse unë s’e kam thënë e as kam menduar të të quaj “tinëzak”! Ashtu sikundër nuk kam thënë që është folur për “miniShengenin” në tryezat e procesit të Berlinit, përkundrazi e kam shpjeguar qartë edhe këtë..
Je i saktë, je pajtuar për “hapësirën e përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor”! Fiks këtë thashë edhe unë dhe Shengeni Rajonal është fiks kjo, hapësira e përbashkët ekonomike plus lëvizja e lirë e njerëzve, kështu që jemi krejt dakord prandaj ta bëjmë dhe pikë.”– tha Rama.
Isa Mustafa tha pas intervistës së Ramës, se ai kurrë nuk kishte folur me të për Mini-Shengenin, për sa kohë ka qenë kryeministër.