Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Reaguam për ministren serbe, s’bëhemi kor histerik për çdo çyryk në Beograd


Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikave për mosreagimin e tij të drejtpërdrejt ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po ta kishte në dorë, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Qeveria e Shqipërisë e dënoi deklaratën përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e cilësuar këtë si mënyrën e duhur të reagimit institucional.

“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria nuk do t’i bashkohet, sipas tij, “korit histerik” sa herë që një zyrtar në Beograd bën deklarata provokuese.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë,” u shpreh Rama.

Ai kritikoi edhe reagimet e opozitës në Tiranë, duke i akuzuar se shfrytëzojnë raste të tilla për përfitime politike.

“Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës,” përfundoi kryeministri.