
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar Mykhailo Fedorovin nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, në kuadër të riorganizimit më të fundit të qeverisë së tij.
Shkarkimi erdhi pas një takimi me drejtuesit ushtarakë më 15 korrik, tha për Kyiv Independent një zyrtar ukrainas i njohur me zhvillimet.
Më vonë gjatë mbrëmjes, vetë Fedorov konfirmoi largimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “një nder të madh t’i shërbeja popullit ukrainas si ministër i Mbrojtjes”.
Ai renditi më shumë se 20 arritje gjatë mandatit të tij, përfshirë ndërprerjen e përdorimit të sistemeve Starlink nga forcat ruse, fushatën kundër logjistikës ruse në Krimenë e pushtuar dhe një reformë ushtarake që e quajti “jo popullore, por jashtëzakonisht të rëndësishme”.
Ministri në largim përmendi edhe tre objektiva që nuk arriti t’i realizonte: transformimin e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s, reformimin e sistemit të prokurimeve ushtarake dhe krijimin e një “kulture përgjegjshmërie”.
“Faleminderit secilit që mbron Ukrainën dhe punon për fitoren. Faleminderit gjithë ekipit tim për shërbimin e pandërprerë 24/7. Do të vazhdoj të punoj për misionin me të cilin erdha në Ministrinë e Mbrojtjes – ta mposhtim armikun përmes asimetrisë, shpejtësisë së inovacionit dhe forcës së organizimit tonë”, shkroi ai.
Sipas një deputeti të partisë në pushtet “Shërbëtori i Popullit”, ministrit të Brendshëm Ihor Klymenko i është ofruar posti i ministrit të ri të Mbrojtjes.
Klymenko drejtoi Policinë Kombëtare nga viti 2019 deri në vitin 2023 dhe mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme pas vdekjes së paraardhësit të tij, Denys Monastyrsky. Emërimi i tij duhet të miratohet nga parlamenti.
Zëdhënësja e tij, Mariana Reva, tha se Klymenko u befasua nga propozimi i presidentit.
“Po presim propozimin zyrtar të presidentit. Siç e dini, Ihor Klymenko është oficer. Për të, fjala e komandantit të përgjithshëm është urdhër”, deklaroi ajo.
Deputetë të shumicës dhe opozitës, të cituar nga Kyiv Independent, u shprehën kundër ndryshimit të mundshëm.
“Është lajm i keq”, tha një deputet i partisë së Zelenskyt.
Edhe analisti politik Volodymyr Fesenko kritikoi vendimin.
“Nuk mendoj se është e drejtë të ndërrohet ministri i Mbrojtjes çdo gjashtë muaj. Nuk ka ankesa thelbësore ndaj Fedorovit dhe ai duhej të kishte mundësinë të përfundonte reformat që kishte nisur. Një tjetër ndryshim vetëm sa do të krijojë më shumë kaos”, u shpreh ai.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Fedorov do të marrë një detyrë tjetër në qeverinë ukrainase.
Sipas deputetëve dhe analistëve, arsyeja kryesore e shkarkimit ishte përplasja mes Fedorovit dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.
“Ka pasur tensione në marrëdhëniet mes Fedorovit dhe Syrskyit. Jo të gjithë janë të kënaqur me propozimet e tij për reformimin e ushtrisë, veçanërisht me planet për ristrukturimin e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Fesenko.
Vendimi për shkarkimin erdhi pas një takimi mes Zelenskyt, Fedorovit dhe Syrskyit, ku u diskutuan sfidat kryesore të ushtrisë, përfshirë mobilizimin.
I pyetur nga gazetarët për largimin e mundshëm të Fedorovit, Zelensky nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi se dëshiron që ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes të jenë “të bashkuara” dhe “në të njëjtën linjë”.
“Prioritet është dialogu mes ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, zgjidhja e problemeve të rekrutimit dhe mbrojtja e hapësirës ajrore”, tha ai, duke konfirmuar zhvillimin e takimit.
Një deputet i partisë së Zelenskyt deklaroi se konflikti mes Syrskyit dhe Fedorovit “i kishte kaluar të gjitha kufijtë”.
Veterani i njohur Yuriy Hudymenko, drejtues i Këshillit Publik Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, tha më herët për median ukrainase NV se të dy kanë qasje krejtësisht të ndryshme ndaj problemeve ushtarake.
“Ky është një konflikt mes një teknokrati të ri dhe një gjenerali të formuar në shkollën ushtarake post-sovjetike”, u shpreh ai.
Edhe deputeti opozitar Yaroslav Yurchyshyn ndau të njëjtin vlerësim, shkruan Kyivindependent.
“Fedorovi po largohet për shkak të konfliktit me Syrskyin, sistemit të vjetër ushtarak dhe njerëzve të lidhur me korrupsionin në sektorin e mbrojtjes”, tha ai.
Sipas tij, Zelensky ka zgjedhur Klymenkon sepse “nuk ka ambicie për t’u bërë figurë popullore dhe nuk do të përballet me gjeneralët e vjetër post-sovjetikë. Ai është 100% njeriu që Zelensky dëshiron në këtë post.”