Vendosni fjalën kyçe....

“SPAK të arrestojë Ramën” – Thirrja e protestuesit


Njëri prej protestuesve iu drejtua me akuza deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, duke kërkuar sqarime për atë që ai e cilësoi si një zyrë të patronazhistëve në Njësinë Administrative nr. 5. Në fjalën e tij, ai ironizoi gjithashtu përpjekjet për të ndikuar në opinionin publik përmes rrjeteve sociale.

“Erion Braçe, ty të mbron Edi Rama dhe patronazhistët. Pse nuk ke dhënë llogari për atë zyrën ilegale të patronazhistëve te Njësia 5? Algoritmin mund ta ulni sa të doni, por algoritmi janë njerëzit këtu në shesh”, u shpreh ai.

Protestuesi vijoi me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se qeveria është drejt fundit të mandatit të saj dhe duke ironizuar personat që, sipas tij, angazhohen në strukturat e patronazhimit për përfitime politike.

“Ditën që do rrëzojmë Ramën duhet të gjeni punë të re, sepse Rama nuk do të ketë më lekë t’ju japë sufllaqe. Edi Rama, ose rrëzohu ose dorëzohu”, tha ai.

Në vijim të tubimit, një tjetër protestues u bëri thirrje përfaqësive diplomatike në Shqipëri që të ndjekin nga afër zhvillimet e protestës dhe të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve.

Ai kërkoi gjithashtu që SPAK të hetojë dhe të ndërmarrë veprime ndaj kryeministrit Edi Rama, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i shoqëruar deklaratat e tij me akuza politike ndaj tyre.

“Berisha ka rizgjedhur vetveten dhe tani do të rizgjedhë mbështetësit e tij. Opozita e vërtetë është në shesh. I bëj thirrje ambasadave të dëgjojnë kërkesat tona dhe SPAK-ut të arrestojë Ramën, Berishën dhe Ballukun”, deklaroi protestuesi.