Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ngriti në Komisionin për Nismat Qytetare çështjen e banorëve të Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj, duke pretenduar tjetërsim të pronave të tyre.
Gjatë seancës, Kapri i kërkoi kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, shpjegime përse nuk janë nisur hetime për këtë rast, të cilin e krahasoi me çështjen e Zvërnecit.
“Kam një kërkesë nga banorët e Rrjollit. Dosja e tyre është si ajo e Zvërnecit. Pse nuk keni nisur hetimet?” – pyeti Kapri.
Në përgjigje, Braho shmangu komentet për çështje konkrete, duke theksuar se SPAK vepron vetëm mbi bazën e kritereve ligjore dhe jo sipas kërkesave të kallëzuesve.
“Nuk dua të ndalem në raste konkrete. Kompetencat e institucionit nuk përcaktohen nga dëshira apo vullneti i kallëzuesve, por nga rrethanat faktike. Nëse personat e caktuar nuk janë dakord, ata kanë të drejtën të ndjekin rrugët ligjore që parashikon ligji,” deklaroi kreu i SPAK-ut.
