
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta politike ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, pas paraqitjes së tij në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Gjatë deklaratës për mediat, Berisha pretendoi se Manja është “peng i dosjeve të tij”, duke iu referuar një dosjeje që, sipas tij, përmban regjistrime ku përmenden shuma parash dhe kërkesa për dhurata luksoze.
“Ulsiu është peng i dosjes, e cila në regjistrime nxjerr se Ulsiu nga çunat e Londrës ka marrë 600 mijë euro. Dhe përveç kësaj, ka kërkuar edhe një çantë Louis Vuitton. Kur i thotë ai në telefon: ‘Po këtë çantën Louis Vuitton për kë e ke?’, ai përgjigjet: ‘E kam për bashkëshorten’. Jo, jo, i thotë, nuk i bën çanta Louis Vuitton asaj, e ke për tjetërkënd, se ia dinin dhe lidhjet Ulsiut”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se, sipas tij, nëse kjo çështje do të hetohej, Manja do të përballej me një dënim të rëndë.
“Ulsiu, që në momentin që të thirret, i ka të paktën 8 deri në 12 vite burg. Prandaj është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t’i shpëtojë kësaj dosjeje që nuk i shpëton kurrë. Përveç kësaj, sipas të dhënave të mediave, ka edhe familjarë të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij”, u shpreh ai.
Në vijim të deklaratës, Berisha komentoi edhe protestën e zhvilluar më 4 korrik në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga tubimet më të mëdha qytetare dhe rinore të viteve të fundit.
Sipas tij, protesta ishte “urimi më i mirë” që mund t’i bëhej kryeministrit Edi Rama në ditëlindjen e tij.
“Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare me datën 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991. Ajo ishte një protestë me kreativitetin më madhështor që është parë ndonjëherë në Tiranë. Ata ia bënë të gjitha urimet që meritonte. Unë bashkoj zërin tim me protestën. Ky është urimi im për Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e kreut të opozitës u bënë pas paraqitjes së tij në SPAK, në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.