Tetë persona, mes tyre katër fëmijë, mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri gjatë një feste familjare për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së pranë plazhit të Coney Island në Nju Jork.
Sipas Policisë së Nju Jorkut, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në oborrin e një pallati, rreth një bllok larg shëtitores së njohur të Coney Island, ku një familje ishte mbledhur për një barbekju, përcjell AP.
Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, bëri të ditur se një person i maskuar, i veshur me të zeza, hapi zjarr ndaj të pranishmëve dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Policia ka sekuestruar një armë zjarri dhe po vijon hetimet për identifikimin e autorit.
Mes të plagosurve janë katër fëmijë të moshave 6, 7, 12 dhe 14 vjeç. Një grua 21-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve, para të shtënave nuk ishte raportuar asnjë konflikt apo incident në aktivitetin familjar.
