Vendosni fjalën kyçe....

Vala rekord e të nxehtit në Francë, mbi 2,000 vdekje brenda javës së kaluar



Franca regjistroi 2,025 vdekje të tjera gjatë javës që nisi më 22 qershor, një rritje prej gati 30% krahasuar me javën paraardhëse, në kulmin e valës rekord të të nxehtit që përfshiu vendin, përcjell Euronews.

Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik, Santé publique France, raportoi se numri i vdekjeve u rrit me 29.1%, duke theksuar se kjo shifër “ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim”.

Rritja më e madhe e vdekshmërisë u regjistrua në rajonin e Parisit, ku numri i viktimave u rrit me 62% gjatë javës së 22 qershorit. Një rritje e ngjashme u vu re edhe në rajonin Pays de la Loire, në perëndim të Francës.

Publikimi i të dhënave vjen ndërsa opozita ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si menaxhoi situatën. Të enjten, Partia e Gjelbër paraqiti një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu, duke e akuzuar se nuk e përgatiti siç duhet vendin për temperaturat ekstreme.

Vala e të nxehtit e muajit qershor zgjati rreth 11 ditë, me temperatura që në shumë zona tejkaluan 40 gradë Celsius. Edhe pse autoritetet e konsiderojnë atë më intensive se vala vdekjeprurëse e vitit 2003, ato vlerësojnë se ndikimi në shëndetin publik pritet të jetë më i ulët.

Drejtori i përgjithshëm i sistemit spitalor publik të Parisit, Nicolas Revel, deklaroi se bilanci përfundimtar i viktimave nga vala e të nxehtit e këtij viti pritet të jetë më i ulët se ai i vitit 2003, kur humbën jetën rreth 15,000 persona, por “me shumë gjasa” më i lartë se vala e të nxehtit e vitit të kaluar, e cila shkaktoi rreth 5,700 viktima.