Administrata e presidentit amerikan Donald Trump duket se ka hequr dorë nga kërkesa për çarmatimin e Hamasit si kusht për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke lënë Izraelin të izoluar në qasjen e tij ndaj konfliktit. Kështu shkruan analisti Nahum Barnea në një koment të publikuar nga Ynet.
Sipas tij, çarmatimi i Hamasit ishte pjesë e planit me 20 pika të propozuar nga Trump dhe të miratuar nga qeveria izraelite në tetor 2025, por zhvillimet e fundit tregojnë se Uashingtoni ka ndryshuar kurs.
Barnea shkruan se administrata amerikane ka kaluar nga negociatat indirekte me Hamasin në bisedime të drejtpërdrejta, ku i dërguari amerikan Steve Witkoff po zhvillon kontakte me zyrtarin e Hamasit, Khalil al-Hayya, në Katar.
Sipas komentit, SHBA po kërkon një marrëveshje për çarmatim të pjesshëm të Hamasit, ku organizata do të hiqte dorë nga armët e rënda, ndërsa do të mbante armët e lehta. Megjithatë, pas muajsh negociatash ende nuk ka një përkufizim të qartë se cilat konsiderohen armë të rënda.
Analisti pohon se, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje për çarmatimin, Uashingtoni synon të kalojë në fazën e rindërtimit të Gazës. Sipas këtij skenari, Izraeli do të tërhiqet gradualisht nga zonat që kontrollon, ndërsa një forcë ndërkombëtare do të marrë administrimin e tyre dhe do të nisë procesi i rindërtimit, i cili parashikohet të zgjasë rreth 10 vjet.
Në koment thuhet gjithashtu se Hamasi ka forcuar kontrollin mbi popullsinë e Gazës gjatë viteve të luftës dhe se drejtuesit e tij po përpiqen të rrisin peshën e tyre në raport me Iranin, duke kërkuar trajtim të ngjashëm me atë të Hezbollahut.
Sipas Barneas, Irani po sinjalizon SHBA-së se një ofensivë e re izraelite në Gaza mund të çojë në përshkallëzim rajonal, deri në kërcënimin për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
