Vendosni fjalën kyçe....

Park fotovoltaik 412 hektarë në Kolonjë, banorët e Taçit të Sipërm kundërshtojnë projektin: Po na marrin kullotat


Një prej parqeve fotovoltaike më të mëdha në Shqipëri pritet të ndërtohet në zonën e Taçit të Sipërm, në bashkinë Kolonjë, duke u shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 412 hektarësh. Projekti parashikon një kapacitet prodhimi prej 62 MW, ndërsa kompania “Fortis Energy and Construction” ka marrë tokën me qira.

Leja e ndërtimit për këtë projekt është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 25 shtator të vitit të kaluar, ndërsa vendimi është zbardhur më 12 maj të këtij viti, shbkruan Pogradeci Press.

Por projekti është kundërshtuar nga banorët e fshatit Taçi i Sipërm, të cilët në muajin janar zhvilluan edhe një protestë, duke kërkuar anulimin e tij. Sipas tyre, kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nuk janë marrë parasysh nga autoritetet.

Banorët thonë se në këto sipërfaqe kullosore prej vitesh ushtrojnë aktivitetin mbi 40 blegtorë të zonës, të cilët mbajnë dele dhe lopë. Ata shprehen se marrja e këtyre kullotave rrezikon drejtpërdrejt jetesën e familjeve që varen nga blegtoria.

Sipas tyre, këto toka janë përdorur tradicionalisht nga komuniteti dhe përbëjnë burimin kryesor të mbijetesës për fshatin. Banorët thonë se nëse kullotat zihen nga panelet fotovoltaike, ata nuk do të kenë më ku të çojnë bagëtitë.

“Si do të jetojmë ne? Këto janë kullotat e fshatit. Me to ka jetuar ky fshat. Nëse na i marrin, ku do t’i çojmë bagëtitë? Janë rreth 40 fermerë që kullosin dele dhe lopë në këto toka”, shprehen banorët.

Ata pretendojnë gjithashtu se disponojnë dokumente pronësie për një pjesë të tokave dhe se për këtë çështje kanë bërë kallëzim në prokurori. Sipas tyre, çështja tashmë ndodhet në gjykatë, ndërsa banorët presin një vendim përfundimtar.

“Ne kemi tapi për tokat. Ata na i kanë zënë dhe ne i kemi hedhur në gjyq. Tani presim të shohim si do të përfundojë”, thonë banorët.

Pavarësisht protestës së zhvilluar në muajin janar, banorët thonë se askush nga institucionet nuk ka shkuar për t’i dëgjuar apo për t’u dhënë shpjegime mbi projektin. Sipas tyre, pas protestës në zonë kanë shkuar vetëm gazetarët.

Krahas shqetësimit për humbjen e kullotave, banorët dhe përfaqësues të komunitetit ngrenë pikëpyetje edhe mbi pronësinë reale të projektit.

Procedurat fillestare janë kryer në emër të kompanisë turke “Fortis Energy and Construction”, me pronar Mehmet Burak Uçkardz. Por përpara zbardhjes së vendimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, më 2 prill të këtij viti, 100% e kuotave të kompanisë janë shitur te “EK Solar Energy BV”, një kompani e regjistruar në Holandë, ku pronarët përfundimtarë nuk rezultojnë publikisht të identifikueshëm.

Transaksioni është kryer për vlerën 100 mijë lekë, që përfaqëson vlerën nominale të kapitalit. Në dokument theksohet se çmimi është vendosur në kuadër të një riorganizimi të brendshëm të grupit dhe nuk pasqyron vlerën reale të tregut.

Koha e shitjes së kuotave dhe kalimi i projektit te një kompani holandeze kanë ngritur pikëpyetje mbi pronësinë reale dhe përfituesit përfundimtarë të këtij investimi.

Ndërkohë, banorët paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e projektit, duke kërkuar që kullotat të mos preken deri në sqarimin e plotë të pronësisë dhe të ndikimit që ndërtimi i parkut fotovoltaik do të ketë mbi jetesën e tyre.