
Kreu i grupit parlamentar Balla ka komentuar përplasjet para Kuvendit.
Ai shkruan se protesta jashtë Kuvendit është zhvilluar nga linja terroriste e lidhur me Iranin që ka sulmuar Policinë e Shtetit.
“Linja terroriste e lidhur me Iranin sulmon Policinë e Shtetit dhe institucionet”, mbishkruhet në videon e publikuar nga Balla ndërsa poshtë saj ai shkruan: “Opaaaaa i doli koka muhabetit. Ajo që nisi si një protestë paqësore e disa djemve dhe vajzave, të cilët dashurojnë flamingot, e më pas mori shtysë nga një akt dhune i dënueshëm, sot degradoi në një shfaqje barbare e linjës terroriste dhe kriminale aty. Dritan Goxhaj dhe elementë kriminalë të përfshirë mes protestës sulmuan sot Policinë e Shtetit dhe institucionet e zgjedhura demokratike. Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, po ndihet shumë i turpëruar ndërsa e vërteta po del në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale po shpërndahet.”
Ndërsa brenda parlamentit ai tha se protesta është organizuar nga mbështetësit e Agron Shehajt, Arlind Qorit e Adriatik Lapajt.
“Kjo nuk ka lidhje me protestën e vërtetë. Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre. Këshilla ime dhe e shumë të tjerëve ka qenë mos i lini partitë e vockla t’ju vjedhin protestën, kjo është pjesë e orkestruar nga 3 dështakë politikë. Njëri u mpreh që do bëhej kryeministër soli tezen, dy të tjerët mbajtësin e çantës. S’janë djemtë e vajzat që hynë në betejë për të mbrojtur flamingot. Ka një pjesë të drejtuar nga Dritan Goxhajn që jo vetëm duhet të ndalohej nga policia, por duhet të hetohet thellësisht nga policia”, tha Balla.