Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në kantierin e Aeroportit të Vlorës, hyrjet mbeten të bllokuara



Situata vijon të jetë e tensionuar në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës, ku edhe gjatë ditës së sotme punonjës të kompanisë MABCO nuk janë lejuar të hyjnë për të vijuar punimet.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, rojet e sigurisë kanë bllokuar aksesin në terminal dhe në zonën e brendshme të aeroportit, ndërsa kamionë të kompanisë 2A Group vijojnë të mbajnë të mbyllura hyrjet kryesore të kantierit.

Në vend ka mbërritur edhe Emin Pacolli, president i MABCO-s dhe vëllai i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zhbllokimin e situatës.

Pacolli ka reaguar me tone të forta ndaj situatës, duke kërkuar hapjen e menjëhershme të aksesit për punonjësit:

“Ju erdhët këtu sot, nuk e hapni dot rrugën? Lejoni aksesin që të kryejmë punët tona. Na bllokojnë këtu, për çfarë arsye? … A duhet të nxjerr armët e të vritem me ata?”, është dëgjuar të thotë ai në vendngjarje.

Forcat e Policisë së Shtetit kanë mbërritur në kantier, por sipas deklarimeve në terren, nuk kanë ndërhyrë për zhbllokimin e hyrjeve. Ato kanë deklaruar se po presin urdhra dhe procedura nga organet kompetente.

Ndërkohë, hyrjet e kantierit vijojnë të mbeten të bllokuara, duke penguar hyrjen e punonjësve dhe vijimin e punimeve në aeroport. Situata mbetet e tensionuar dhe pritet ndërhyrja e autoriteteve për të zgjidhur konfliktin që po ndikon në ecurinë e projektit.