Vendosni fjalën kyçe....

Greku që vdes për Shqipërinë dhe shqiptari që vdes për Greqinë


Nga Ilir Kulla

S’do ta bëja këtë postim po të mos shihja njërin nga këta neo-deputetët e rinj, që nuk e di ku i bie selia e PS-së, të dilte para mediave nga SPAK-u e të deklaronte se kishte denoncuar Çanin, sepse përdorte “Zonën e Lirë” në favor të Greqisë dhe kundër Shqipërisë, me arsyetimin se kishte mbrojtur mikun e tij, Fredi Belerin.

Me thënë të drejtën, natën që u arrestua Fredi Beleri, mbi tre vjet e ca më parë, si kandidati i vetëm i arrestuar nga Policia tre ditë para zgjedhjeve, unë isha në emision me Çanin. Me një qetësi olimpike, duke qeshur, i thashë Çanit një profeci që dy vjet më vonë u realizua:

“Nuk e di ç’kanë dashur të bëjnë këta budallenjtë, por sapo i hapën rrugën për ta bërë eurodeputet.”

Dhe ashtu ndodhi.

Emisioni ndodhet në YouTube dhe mund të shikohet.

Nga ajo kohë, kështu si “rastësisht”, të gjithë ata që ishin përfshirë në këtë çështjen Beleri, sikur i zuri ndonjë “magji” e bërë nga Papu-ja, përfunduan nëpër burgje: komandanti im Gjergj (Jorgo) Goro, kundërkandidati; Rreli, prokurori i Vlorës që e arrestoi; dhe shefi i Operacionales, Oltioni.

Gjëra që ndodhin.

Po le të kthehemi te Arian Çani.

Ky deputeti është i ri dhe s’ka si t’i mbajë mend, por betejat legjendare kundër mediave në Shqipëri, me gjyqe e burgje, i ka bërë Doktori i madh, që edhe 82 vjeç nuk dorëzohet dhe bën plane për 20 vitet e ardhshme. Dhe i ka humbur të gjitha me sukses të plotë.

Pastaj, kështu me radhë, kanë ardhur të gjithë të tjerët. Mund të pyesë Nikollë Lesin, Mero Bazen, Martin Lekën e shumë të tjerë.

E mirëkuptoj deputetin. Është i ri dhe s’i di ca gjëra. Do t’i mësojë, ashtu siç i mësova edhe unë në moshën e tij, kur kandidova për PS deputet plot 21 vjet më parë.

Solidariteti aty është unik në llojin e vet. Të gjithë janë vënë në radhë dhe mezi presin të thyejë kokën ai i madhi — atëherë ishte Nano — që të bëhen kryeministra, ministra e drejtorë me radhë.

Nuk e dinë të gjorët që, nëse bie ajo ngrehinë, shumica do të shkojnë burgjeve e gjykatave, përveç atij të madhit. Pastaj do të thonë: “Na shiti ai i madhi”, të cilit do t’i përfundojnë si Fatos Nanos, që deputeti mitik Cim Hysa, fqinj i Fatosit, e quante thjesht “kolegu Nano”.

Dhe nën këtë dëshirën e madhe për të qenë në korsinë preferenciale të ministerllëkut, deputeti shkon e përmend litarin në shtëpinë e të varurit te SPAK-u, që vetëm për çështjen Beleri duket sikur ka bërë një sektor të veçantë aty te Burgu i Durrësit, pa llogaritur të tjerat që i kanë nxjerrë njerëzit në bulevard në mes të vapës.

Aty, në atë rrugë, Bashkia — ajo që ka ngelur nga Lali — duhet të vendosë një ndalim qarkullimi për gjithë lagjen, pasi aty mbrapa ndodhen edhe BalkanWeb, Panorama dhe News24. Duket sikur janë bërë të gjitha bashkë një lagje puçistash.

E dyta, deputeti doli dhe tha se Çani do të dënohet se përdor frekuencat shtetërore.

Po ç’thua, mor njeri? Ç’thua?

Edhe Çanin do ta bësh bloger dhe ta detyrosh të fillojë të përdorë algoritmin?

Po pse, kohë për të prodhuar blogerë të tjerë është kjo?

Kjo që bën nuk është rrugë për t’u bërë ministër. Është rrugë për të prishur karrierën.

Jo për gjë, por ky Çani, greku që vdes për Shqipërinë dhe shqiptari që vdes për Greqinë, ka dhënë prova që nga “Klani i Natës” se ta nxin jetën se si nuk i ndalet goja.

Dhe bëhet eurodeputet grek, e aty jashtë derës së Parlamentit Europian na e bën “Zonën e Lirë” live si gazetar shqiptar, dhe s’ka algoritëm ta ndalojë.

Nejse, përtej shakasë, unë që e njoh që nga viti 1998, kur Gazeta Shqiptare ishte te Rruga e Dibrës, poshtë spitaleve, mund të them se Arian Çani vdes ta sfidosh.

E kam parë ta mallkonin demokratët sepse qëndronte kundër “grushtit të shtetit” më 14 shtator si kryeredaktor i Gazetës Shqiptare.

E kam parë të nxirrte në faqen e parë Haklajt & Co. si vrasës të Azem Hajdarit dhe pastaj ta mallkonin socialistët.

E kam parë përkrahësin numër një të UÇK-së si gazetë në Kosovë e Maqedoni, me foton e parë në botë të Ali Ahmetit me uniformë në kryefaqe.

E kam parë të ishte i pari që botoi një intervistë ekskluzive të Koštunicës.

Jo gjithnjë kemi shkuar mirë. Jemi zënë pa fund.

Por po nuk u zure me Arianin, atëherë nuk ke Çanin.

Pastaj, një ditë në vitin 2003, vendosi të bëjë kolonën e jetës së tij: “Zonën e Lirë”.

Një çerek shekulli për pak.

Kështu që jepi, deputet. Mos e ndal gazin.

Se Çani gallatë do. S’ka punë tjetër.

Ta merr dhe e bën emisionin aty te dera e SPAK-ut.

Por ç’e do dreqin se, në këto kohë, kjo gjë është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit dhe të prishësh karrierën.

Suksese përpara, me qetësi dhe terezi!