Vendosni fjalën kyçe....

Vance: Irani pranon rikthimin e inspektorëve bërthamorë, SHBA nuk do të imponojë marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit


Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Zvicër kanë shënuar përparim të rëndësishëm, duke njoftuar se Teherani ka pranuar rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) për të monitoruar programin e tij bërthamor.

“Dje ishte një ditë shumë, shumë e mirë. Bëmë përparim të madh dhe arritëm pikërisht atë që synonim për popullin amerikan,” deklaroi Vance.

Sipas tij, një nga objektivat kryesore të negociatave ishte garantimi i funksionimit normal të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, përcjell Ynet.

“Ne donim të krijonim një mekanizëm për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit. Ajo është e hapur dhe flukset energjetike po vazhdojnë normalisht,” tha ai.

Vance bëri të ditur gjithashtu se po punohet për krijimin e një mekanizmi rajonal koordinimi për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve mes Izraelit, Hezbollahut dhe aktorëve të tjerë në rajon.

“Duam të sigurohemi që nëse Hezbollahu sulmon Izraelin ose Izraeli kundërpërgjigjet, të ekzistojnë kanale komunikimi që ndihmojnë në ndalimin e përshkallëzimit dhe rritjen e sigurisë në rajon,” u shpreh ai.

Megjithatë, zëvendëspresidenti amerikan theksoi se Uashingtoni nuk synon t’i imponojë Izraelit apo Libanit një marrëveshje politike, por të krijojë mekanizma që favorizojnë stabilitetin dhe uljen e tensioneve.

Pika më e rëndësishme e negociatave, sipas Vance, mbetet çështja bërthamore. Ai njoftoi se Irani ka rënë dakord të lejojë rikthimin e inspektorëve të IAEA-s.

“Iranianët kanë pranuar të ftojnë inspektorët e IAEA-s të rikthehen në vend. Ky është një moment i rëndësishëm dhe hapi i parë drejt objektivit afatgjatë për t’i dhënë fund çdo kapaciteti për armë bërthamore,” deklaroi ai.

Sipas Vance, inspektorët mund të nisin punën që këtë javë, ndërsa diskutimet teknike mbi programin bërthamor do të vazhdojnë në ditët dhe javët në vijim.

Ai shtoi se, pavarësisht tensioneve dhe kërcënimeve të ndërsjella gjatë negociatave, dialogu nuk u ndërpre.

“Pati pak kërcënime, pati ankesa dhe pak nervozizëm nga të dyja palët, por në fund bisedimet vazhduan dhe ne arritëm përparim të rëndësishëm,” tha Vance.

Bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit, ndërsa ekipet teknike do të vijojnë punën edhe pas largimit të Vance nga Zvicra.