Vendosni fjalën kyçe....

Dy nxënës hapin zjarr në një shkollë në Filipine, 3 të vdekur dhe 7 të plagosur


Një ngjarje tragjike ka tronditur Filipinet, ku dy nxënës të armatosur hapën zjarr brenda një shkolle të mesme në qytetin Tacloban, duke vrarë tre bashkëmoshatarë dhe plagosur shtatë të tjerë.

Sipas policisë, autorët e dyshuar janë 14 dhe 15 vjeç dhe u arrestuan menjëherë pas sulmit. Të dy ishin nxënës të shkollës së mesme “San Jose National High School”, ku ndodhi ngjarja, përcjell AP.

Shefi i policisë rajonale, gjeneral brigade Jason Capoy, tha se hetimet paraprake tregojnë se dy të miturit kanë deklaruar se kishin qenë viktima të bullizmit në shkollë.

Njëri prej tyre përdori një pistoletë 9 mm, të cilën dyshohet se e kishte marrë nga tezja e tij, një efektive policie që tashmë është nën hetim. Nxënësi tjetër ishte i armatosur me një revolver kalibri 38.

Sipas autoriteteve, autorët arritën të futnin armët në shkollë për shkak të masave të dobëta të sigurisë, pasi në momentin e ngjarjes vetëm një roje ishte në detyrë për disa hyrje dhe dalje të kampusit.

“Të dyshuarit hynë në dy klasa të ndryshme. Pas të shtënave në klasën e parë, nxënësit u përpoqën të largoheshin, ndërsa autorët ndoqën disa prej viktimave në një klasë tjetër,” tha Capoy.

Shumica e viktimave dhe të plagosurve janë vajza. Në vendngjarje policia gjeti të paktën 40 gëzhoja.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë nxënës të tmerruar të fshehur poshtë bankave, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh dhe britma. Në video të tjera shihen qindra nxënës që largohen me panik nga shkolla.

Njëri prej autorëve u arrestua brenda shkollës menjëherë pas sulmit, ndërsa tjetri u arratis dhe u fsheh në një banesë pranë kampusit. Ai u lokalizua dhe u arrestua nga policia pas informacioneve të dhëna nga banorët.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi një hetim të plotë për ngjarjen dhe kërkoi forcimin e masave të sigurisë në të gjitha shkollat dhe institucionet publike.

“Presidenti është thellësisht i trishtuar nga kjo ngjarje. Çdo njeri, veçanërisht prindërit e viktimave, do të ndiheshin të tronditur dhe të tmerruar,” deklaroi zëvendëssekretarja e Komunikimit, Claire Castro.

Autorët do t’u dorëzohen shërbimeve sociale shtetërore pas përfundimit të hetimeve. Sipas ligjit filipinas, 14-vjeçari mund të mos përballet me ndjekje penale për shkak të moshës, ndërsa autoritetet do të vlerësojnë nëse ai kishte ndërgjegjësim të plotë për pasojat e veprimeve të tij.

Ngjarje të tilla janë relativisht të rralla në Filipine, megjithëse krimet me armë zjarri mbeten një problem i vazhdueshëm për shkak të numrit të madh të armëve pa leje në qarkullim.