
Një qytetare ka akuzuar kryeministrin Rama për mashtrim lidhur me një postim tijin në Facebook ditën e djeshme, ku akuzonte një zonjë që foli në protestë se kishte bërë një ndërtim pa leje ndërkohë që protestonte.
Sipas Arkitektes Entela Spahivogli, objekti në fjalë e publikuar nga kreu i qeverisë, është ndërtuar në vitin 1941 nga familjet Koja dhe Jakoel ndërsa për shtesën në fjalë ajo shkruan se ka dokumente, pronësi, histori dhe kujtesë familjare.
Çfarë shkruan qytetarja
“Unë, Ark. Urb. Entela Koja — “shtesa pa leje” dhe Kryeministri
Përpara se të shpifni, z. Kryeministër, verifikoni faktet. Objekti që ju paraqisni si “shtesë pa leje” është pjesë e një ndërtese të ndërtuar nga familjet Koja dhe Jakoel që në vitin 1941, me projekt dhe ndërtues italianë. Historia e saj vërtetohet me dokumente ligjore e historike, fotografi, filma dhe dëshmi të kohës. Pra, ose nuk e njihni historinë e Durrësit dhe ligjin, ose po deformoni me vetëdije të vërtetën. Pra “çibanin” që përmendni me përbuzje: ka dokumente, pronësi, histori dhe kujtesë familjare. Nuk është shpikur sot, as për fushatë, as për përfitim.
Sa për mua politikisht: unë jam aty kundër gjithë establishmentit. Që nga dita e parë , e ca muaj e vite me pare, e kam thënë qartë: Rama në burg, Berisha në burg, poshtë diktatura, poshtë komunizmi. Nuk jam aty për parti. Jam aty si profesioniste për pronën, trashëgiminë, ligjin, per Durrësin, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.
Problemi juaj i vërtetë nuk është ndërtesa ime. Problemi juaj është se projekti TID Durrës nuk mbeti më i fshehur. Sot kjo çështje është bërë publike në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht, përfshirë në raportimet e World Heritage Watch ( linku ne fund) dhe në qarqe të specializuara të trashëgimisë kulturore. Unë e kam bërë tashmë pa frikë, me forcën e së vërtetës, e cila flet shumë më fort se një turmë e tërë. Por duhet ta keni të qartë: për dëmet që po i shkaktohen Durrësit historik, përgjegjësia ka emra. Dhe kjo është arsyeja pse ju shqetëson e vërteta. Shpifjet nuk i ndryshojnë faktet. Propaganda nuk e fshin historinë. Dhe sulmet personale nuk e mbulojnë përgjegjësinë publike. Kaq e thjeshtë.”



Çfarë shkruante kryeministri Rama në Facebook ditën e djeshme
“DY FOTOGRAFI DHE DY FYTYRAT E NJË SIMBOLI TË THIRRJES PËR DIASPORËN NË PROTESTË.
Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar.
Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak.
Pikërisht kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale:
Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë,
Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën. *Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave.”