Vendosni fjalën kyçe....

Delegacioni iranian tërhiqet në momentin e fundit nga shtrëngimi i duarve me amerikanët në Zvicër


Delegacioni iranian në bisedimet e zhvilluara të dielën në Zvicër kishte rënë fillimisht dakord për një shtrëngim duarsh publik me ekipin amerikan, por u tërhoq në momentet e fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga një burim i njohur me zhvillimet e negociatave, i cili ka deklaruar për The Jerusalem Post se Teherani kishte planifikuar madje edhe dokumentimin e momentit me ekipin e vet mediatik.

Sipas burimit, pala iraniane kishte pranuar që takimi mes delegacioneve të shoqërohej me një gjest simbolik përpara kamerave, në një përpjekje për të treguar një klimë më konstruktive gjatë negociatave.

Megjithatë, pak para realizimit të momentit, delegacioni iranian ndryshoi qëndrim dhe anuloi pjesëmarrjen në shtrëngimin e duarve me përfaqësuesit amerikanë.

Ngjarja vjen në një kohë kur në Zvicër po zhvillohen bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për zbatimin e memorandumit të fundit mes palëve, ndërsa tensionet mbeten të larta për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, situatës në Liban dhe mosmarrëveshjeve mbi programin bërthamor iranian.