
Një 60-vjeçar ka humbur jetën pasi u qëllua me thikë nga fqinji.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrogozhinë mbrëmjen e sotme.
Sipas policisë, viktima dhe 25-vjeçari u përplasën për motive të dobëta.
Autori i dyshuar i krimit me iniciale M.M. u ndalua nga policia.
Njoftimi
“Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit ku u përdorën mjete prerëse, plagosi një 60-vjeçar, i cili më pas humbi jetën.
Rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”