Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e së shtunës, organizatorët thirrje qytetarëve: Sillni këpucët e atyre që janë larguar nga Shqipëria


Organizatorët e protestës qytetare kanë bërë thirrje që tubimi i së shtunës t’i kushtohet diasporës dhe shqiptarëve që janë larguar nga vendi për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.

Përmes një mesazhi publik, aktivisti Andi Tepelena u kërkoi qytetarëve të sjellin në protestë një palë këpucë, si simbol i atyre që nuk mund të jenë të pranishëm, pasi janë detyruar të emigrojnë.

“Ditën e shtunë, këpucë për ata që mungojnë. Të gjithë me këpucë me vete të atyre që nuk mundet të jenë në protestë, të detyruar për shkak të kushteve social-ekonomike të braktisin Shqipërinë”, shprehet Tepelena.

Sipas organizatorëve, këpucët do të grumbullohen përpara Kryeministrisë, ku synohet të krijohet një gjest simbolik në shenjë proteste ndaj fenomenit të emigrimit masiv.

“Protesta e së shtunës, dedikuar diasporës, do të jetë edhe për ata. Le të bëjmë një mal me këpucë dhe ta vendosim tek Kryeministria si shenjë revolte dhe indinjate ndaj anti shqiptarit i cili po zbaton axhendën e shpopullimit të Shqiperise. ”, thuhet në thirrjen e grupit organizator.

Organizatorët e lidhin këtë simbolikë me shpopullimin e vazhdueshëm të vendit, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë dhe të japin mesazhin e tyre përmes këtij aksioni simbolik.

Protestat kundër qeverisë kanë hyrë tashmë në javën e tretë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar forma të reja sensibilizimi dhe pjesëmarrjeje në tubimet e ardhshme.