Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është hedhur në një kundërsulm të fortë publik një ditë pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) listën zyrtare me 110 dëshmitarë për procesin penal ndaj tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta deklaroi se mbrojtja e tij ligjore do të përgjigjet duke kërkuar gjithashtu thirrjen e rreth 100 dëshmitarëve të tjerë, ku një pjesë e konsiderueshme do të jenë shtetas të huaj, diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë.
Ish-presidenti u shpreh i gatshëm për përballjen në sallën e gjyqit, duke pretenduar se tashmë ka ardhur koha që procesi të bazohet mbi fakte dhe jo mbi interpretime të prokurorisë.
“Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet. Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit. Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI,” – shkroi Meta në mesazhin e tij.
Në strategjinë e tij të mbrojtjes, Meta specifikoi se do të kërkojë dëshmitë e të gjithë aksionerëve dhe drejtuesve të kompanisë DIA në Uashington, drejtuesve të “McKeon Group” si dhe të avokatit greko-amerikan Fidetzis, të cilët sipas tij kanë dijeni të plotë mbi kontratat e lobimit të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
Një pikë kyçe e paralajmërimit të tij ishte përfshirja në proces e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, i cili aktualisht po vuan një dënim me burg në Shtetet e Bashkuara.
“Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive,” – sqaroi kreu i PL-së.
Kjo lëvizje vjen pas seancave të fundit të tensionuara në GJKKO, të cilat u shoqëruan me debate të ashpra mes Metës dhe trupës gjykuese të drejtuar nga gjyqtari Erjon Bani, të cilin lideri i PL e ka akuzuar hapur për njëanshmëri në drejtimin e procesit.
