Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Bojkotuam amnistinë penale pas “pabesisë” së Ramës


 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, justifikoi vendimin e opozitës për të bojkotuar votimin e amnistisë penale në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se ka përfshirë në mënyrë të padrejtë persona të dënuar për korrupsion në listën e përfituesve.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se demokratët nuk mund të mbështesin një proces që, sipas tij, është deformuar nga ndërhyrjet e qeverisë.

“Nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm. Ata sollën amendamentin me të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore. Ne atë nuk e pranojmë kurrë. Specialistët tanë konstatuan se ligji që kanë hartuar i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë të kalojnë nga Gjykata e Apelit, duke e shndërruar në një proces gjobash universale. Kjo ishte arsyeja. Ne kemi votuar njëherë me ta, por ata në pabesi futën njerëz të dënuar për korrupsion dhe ndaj vendosëm të mos votojmë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po vepron në favor të krimit.

“Edi Rama ka votuar në favor të krimit. Ta heqim drejtësinë fare, ta mbajmë me këshilla popullore. Po ky nuk është shtet”, u shpreh ai.

I pyetur për incidentin e një nate më parë para selisë së Partisë Demokratike, ku pati tensione mes protestuesve dhe mbështetësve demokratë për shkak të thirrjeve “Berisha në burg”, lideri demokrat e minimizoi ngjarjen, duke e cilësuar si një provokim të vogël.

“Ishte një akt, një provokacion i vogël, por ne u themi demokratëve se gjethet dhe degëzat nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste. Thirrjet dhe përpjekjet për të krahasuar Ramën me Berishën lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë”, tha Berisha.

Në fund të deklaratës, ai u bëri thirrje demokratëve që të marrin pjesë masivisht në protestat e vazhdueshme kundër qeverisë, duke këmbëngulur se opozita duhet të vazhdojë betejën politike pavarësisht kundërshtimeve për përfshirjen e partive politike në lëvizjen qytetare.