
Të paktën 30 persona kanë vdekur që nga fillimi i majit në një kamp për civilët e zhvendosur në verilindje të Kongos, një shkallë vdekshmërie që zyrtarët e kampit thanë se ishte e paprecedentë dhe që, për shkak të simptomave të shfaqura, mund të tregojë se Ebola po përhapet me shpejtësi në zonë.
Nuk ishte e mundur të konfirmoheshin shkaqet e vdekjeve, sepse pacientët ose të afërmit e tyre në kampin Kigonze në Bunia – epiqendra e shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos – kishin refuzuar deri të enjten kryerjen e testeve si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit, thanë një zëdhënës i kampit dhe organizata humanitare Caritas.
Megjithatë, të gjithë të vdekurit kishin shfaqur simptoma si dhimbje koke, temperaturë dhe të vjella, të cilat lidhen me Ebolën, thanë për Reuters një zëdhënës i kampit, një baba që kishte humbur fëmijën, tre burime të ndihmës humanitare dhe një drejtues i shoqërisë civile.
“Njerëzit nuk vdisnin kështu më parë,” tha për Reuters zëdhënësi i kampit, Desire Grodya Bapi.
Vdekjet në Kigonze, i cili strehon më shumë se 15,000 banorë, kanë ngritur frikën se Ebola mund të jetë duke qarkulluar pa u zbuluar mes më shumë se 5 milionë personave të zhvendosur në lindje të Kongos, ndërsa rezistenca ndaj testimeve po e përkeqëson sfidën e krijuar nga kushtet shumë të kufizuara të higjienës, shkruan Reuters.