Vendosni fjalën kyçe....

Scholz reagon ndaj komenteve raciste kundër futbollistëve emigrantë gjermanë


Kancelari Olaf Scholz kritikoi të enjten komentet raciste të drejtuara kundër lojtarëve emigrantë të ekipit kombëtar gjerman të futbollit.  

“Ata janë të gjithë gjermanë, janë të gjithë djemtë tanë”, tha Scholz gjatë fjalimit të tij në parlament dhe nënvizoi se ekipi kombëtar ka qenë një shembull i suksesshëm i larmishmërisë kulturore të shoqërisë.

“Njerëzit me prejardhje emigrante janë pjesë e shoqërisë sonë dhe ne nuk do lejojmë që të ndahemi. Mund të krenohemi që kjo pasqyrohet edhe në kombëtaren tonë”, theksoi ai.

Vërejtjet e Scholz erdhën si përgjigje ndaj një debati publik të vijueshëm mbi përbërjen e ekipit kombëtar gjerman të futbollit dhe komenteve raciste në mediat sociale kundër lojtarëve emigrantë.

Një sondazh i fundit nga media publike ARD ka zbuluar se disa gjermanë nuk ishin të kënaqur që kishin lojtarë emigrantë dhe me ngjyrë të zezë në ekipin e futbollit të vendit.

Rreth 21% e gjermanëve thanë se pareapëlqejnë të shohin më shumë lojtarë me lëkurë të bardhë në ekipin e tyre kombëtar. Gati 17% thanë se u vjen keq që kapiteni i tanishëm i kombëtares është një lojtar me rrënjë turke.

Skuadra e Gjermanisë ka nëntë lojtarë me sfond emigrantësh, duke përfshirë kapitenin Ilkay Gundogan, mbrojtësit Jonathan Tah dhe Waldemar Anton, mesfushorin Jamal Musiala dhe sulmuesin Deniz Undav.

Vendi do presë turneun më të madh të futbollit në Evropë, Evropianin 2024, në qershor dhe korrik. Turneu do nisë në Mynih me ndeshjen e Gjermanisë kundër Skocisë më 14 qershor. Finalja do mbahet në Olympiastadion të Berlinit më 14 korrik.