Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli nis sulme të reja ajrore në Liban, Trump thotë se mund ta rifillojë luftën


Presidenti amerikan Trump deklaroi të mërkurën se marrëveshja e re e armëpushimit me Iranin nuk është përfundimtare dhe se ai mund ta rifillojë luftën nëse nuk mbetet i kënaqur me zhvillimet, ndërsa Izraeli ndërkohë kreu sulme të reja ajrore në Liban, ku luftimet vijojnë të kërcënojnë armëpushimin më të gjerë.

“Është një memorandum mirëkuptimi. Dhe nëse nuk më pëlqen, do kthehemi përsëri duke qëlluar ndaj tyre, duke hedhur bomba mbi kokat e tyre,” tha Trump gjatë samitit të G7 në Francë, duke iu referuar marrëveshjes së arritur tre ditë më parë.

“Nëse nuk më pëlqen, nëse ata nuk sillen siç duhet, do rikthehemi menjëherë duke hedhur bomba.” shtoi ai.

Udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse e përshëndetën marrëveshjen gjatë samitit në qytetin francez Evian-les-Bains, rreth një orë larg përgjatë brigjeve të Liqenit të Gjenevës nga vendi ku memorandumi i armëpushimit me Iranin pritet të nënshkruhet zyrtarisht në Zvicër të premten.

Liderët kërkuan gjithashtu një armëpushim të menjëhershëm në Liban, ku memorandumi parashikon ndalimin e armiqësive midis Izraelit dhe grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani, konflikt që ka detyruar më shumë se një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Megjithëse luftimet janë zbutur që nga arritja e marrëveshjes të dielën, ato nuk janë ndalur plotësisht. Izraeli, i cili nuk mori pjesë në negociata, ka deklaruar se ruan të drejtën për të përdorur forcën, shkruan Reuters.

Media shtetërore libaneze raportoi për sulme të reja ajrore izraelite dhe bombardime me artileri në disa qytete jugore gjatë gjithë të mërkurës. Burime të sigurisë në Liban thanë se Hezbollah kishte kryer gjithashtu dy sulme me dronë kundër forcave izraelite në jug, megjithëse grupi nuk i mori publikisht përgjegjësinë për këto sulme.

Më vonë, Izraeli njoftoi se pesë ushtarë të tij ishin plagosur si rezultat i dy sulmeve me dronë të Hezbollahut në jug të Libanit.

Në qytetin jugor libanez Nabatieh, nën hijen e një kështjelle mesjetare të pushtuar nga forcat izraelite, ndërtesat e shkatërruara i ngjanin pamjeve të Rripit të Gazës.

Khodr Kodeih, anëtar i këshillit bashkiak të qytetit, tha për Reuters se disa banorë të zhvendosur ishin kthyer ditët e fundit për të parë gjendjen e shtëpive të tyre, por sulmet e reja po i detyronin sërish të qëndronin larg.

“Qyteti i Nabatieh u zbraz përsëri. Shpresojmë që të krijohet një mjedis i sigurt në mënyrë që njerëzit të mund të kthehen, sepse nevojat bazë për jetesë ende nuk janë të disponueshme,” tha Kodeih.

Memorandumi i mirëkuptimit, i cili ende nuk është bërë publik tre ditë pas nënshkrimit nga Uashingtoni dhe Teherani, zgjat me 60 ditë të tjera armëpushimin e shpallur në prill, për t’u dhënë kohë palëve të negociojnë një marrëveshje të përhershme paqeje.