Një zyrtar i lartë i Hezbollahut deklaroi se grupi nuk ka kryer asnjë sulm ndaj Izraelit që nga shpallja e armëpushimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara gjatë natës së kaluar.
Në një prononcim për Reuters, zyrtari tha se qëndrimi i Hezbollahut ndaj armëpushimit është i lidhur drejtpërdrejt me respektimin e tij nga ana e Izraelit, duke lënë të kuptohet se edhe ushtria izraelite ka ndalur operacionet ushtarake.
“Qëndrimi i Hezbollahut për armëpushimin varet nga angazhimi i Izraelit ndaj tij”, deklaroi ai.
Zyrtari shtoi se organizata kundërshton atë që e cilësoi si “liri veprimi” të Izraelit në territorin libanez. Sipas tij, Irani e vonoi nënshkrimin e marrëveshjes për t’u siguruar fillimisht se Izraeli do të respektonte armëpushimin në Liban.
Ndërkohë, në jug të Libanit janë publikuar pamje që tregojnë kthimin e banorëve në zonat e braktisura gjatë muajve të konfliktit.
Në hyrje të qytetit Nabatieh janë parë automjete të shumta dhe qytetarë që rikthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa në zonë është vënë re edhe një flamur i Hezbollahut pranë një automjeti të ushtrisë libaneze.
Megjithatë, autoritetet lokale në jug të Libanit u kanë bërë thirrje banorëve të presin miratimin zyrtar të forcave të sigurisë përpara se të rikthehen në vendbanimet e tyre.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare lidhur me operacionet e saj në Liban pas shpalljes së armëpushimit, ndërsa edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka komentuar publikisht zhvillimet e fundit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se zhvillimet e orëve të fundit tregojnë përfundimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Sipas tij, ky rezultat është pasojë e qëndresës së Iranit dhe aleatëve të tij në rajon.
