Vendosni fjalën kyçe....

Kapet në flagrancë 53-vjeçari i dyshuar për vjedhje banesash në Farkë



Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina e Errët”, si rezultat i të cilit është arrestuar një 53-vjeçar i dyshuar për tentativë vjedhjeje në zonën e Farkës.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, shtetasi A. K., 53 vjeç, banues në Durrës, është kapur në flagrancë teksa po përgatitej të hynte në një banesë me qëllim vjedhjen.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, si dhe mjete të ndryshme të dyshuara për kryerjen e vjedhjeve, përfshirë kaçavida, pinca, doreza, maskë dhe kapela.

Policia bën me dije se i arrestuari rezulton me precedent të theksuar penal për krime kundër personit dhe pronës, ndërsa nga hetimet dyshohet se ai është autor edhe i dy rasteve të tjera vjedhjesh ose tentativash vjedhjeje në të njëjtën zonë.

Në datën 31 maj 2026, ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë, ndërsa më 5 qershor 2026 ka tentuar të kryejë një tjetër vjedhje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.