Vendosni fjalën kyçe....

SHBA miraton bashkimin gjigant mes Paramount dhe Warner Bros për 110 miliardë dollarë


Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka miratuar blerjen e kompanisë mediatike Warner Bros Discovery nga Paramount Skydance, në një marrëveshje me vlerë 110 miliardë dollarë, duke vlerësuar se transaksioni nuk dëmton konkurrencën dhe nuk cenon interesat e konsumatorëve.

Pas një hetimi tetëmujore, autoritetet amerikane analizuan ndikimin që bashkimi do të kishte në platformat e transmetimit online, televizionin tradicional dhe industrinë e filmit.

Në përfundim, Departamenti i Drejtësisë arriti në përfundimin se marrëveshja pritet të rrisë konkurrencën në tregun mediatik dhe argëtues.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet amerikane theksuan se bashkimi i dy kompanive do të krijojë një konkurrent më të fortë në sektorin e transmetimit online, duke u ofruar konsumatorëve më shumë alternativa përballë platformave dominuese në treg, përcjell Reuters.

Nga ana e saj, Paramount përshëndeti vendimin, duke deklaruar se marrëveshja do t’i japë kompanisë mundësi më të mëdha për të konkurruar në një industri ku gara për audiencën, talentet, teknologjinë dhe investimet është gjithnjë e më e fortë.

Megjithatë, procesi nuk ka përfunduar ende. Komisioni Federal i Komunikimeve nuk ka dhënë ende miratimin përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në strukturën financiare të marrëveshjes.

Ndërkohë, disa senatorë amerikanë kanë ngritur shqetësime për përfshirjen e fondeve sovrane nga Arabia Saudite, Katari dhe Abu Dhabi, si edhe për raportimet mbi interesimin e kompanive kineze për të marrë pjesë në investim.

Pavarësisht miratimit federal, autoritetet e Kalifornisë, Nju Jorkut dhe disa shteteve të tjera po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së një padie për të bllokuar marrëveshjen. Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, deklaroi se bashkimi mes Warner Bros dhe Paramount mbetet ende nën hetim nga zyra e tij.

Marrëveshja konsiderohet një nga bashkimet më të mëdha në historinë e industrisë globale të medias dhe argëtimit.