Vendosni fjalën kyçe....

Operacion policor në Vlorë, arrestohen 2 persona për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje droge


Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria”, duke goditur tre raste të armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike në qytet dhe në zonat bregdetare.

Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, si dhe sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis. Në pranga kanë rënë dy persona, njëri prej tyre me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Sipas policisë, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për garantimin e sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasit T. P., 33 vjeç, dhe A. C., 18 vjeç.

Gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e 33-vjeçarit T. P., banues në Vlorë dhe me precedent penal për prodhim e shitje të lëndëve narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi e dyshuar kokaine e ndarë në doza, gati për shitje.

Ndërkohë, 18-vjeçari A. C. u kap në Dhërmi në posedim të sasive të kokainës dhe kanabisit, të cilat dyshohet se i mbante me qëllim shitjen në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Policia bën me dije se kontrollet vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.