Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Betonizimi i zonave të mbrojtura është terrorizëm mjedisor, jo zhvillim



Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson betonizim të pasurive publike dhe zonave të mbrojtura, duke deklaruar se ky model nuk përfaqëson zhvillim, por “terrorizëm mjedisor”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zhupa solli si shembull zonat e Gjirit të Manastirit dhe Palasës, ku sipas saj po zhvillohen ndërtime masive që po dëmtojnë peizazhin natyror, biodiversitetin dhe potencialin për turizëm të qëndrueshëm.

“Ky nuk është zhvillim. Ky është terrorizëm mjedisor. Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe i zonave të mbrojtura nuk mund të quhet kurrë zhvillim për Shqipërinë”, shkruan deputetja demokrate.

Sipas Zhupës, ndërtimet pa kriter rrezikojnë të zhdukin elementët që e bëjnë Shqipërinë një destinacion unik turistik, ndërsa thekson se natyra dhe peizazhet nuk mund të zëvendësohen me beton.

“Betoni nuk prodhon oksigjen. Njeriu nuk jeton dot pa oksigjen. Betoni nuk mbron biodiversitetin dhe nuk zëvendëson pyjet, detin dhe peizazhet që duhet t’ua lëmë brezave të ardhshëm”, shprehet ajo.

Deputetja e PD-së akuzoi gjithashtu qeverinë se po merr vendime arbitrare në lidhje me zhvillimin e territorit, duke argumentuar se interesi publik po zëvendësohet nga interesa të ngushta ekonomike.

Ajo e lidhi reagimin e saj edhe me protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh, duke i cilësuar ato si një mjet demokratik për mbrojtjen e natyrës, trashëgimisë kulturore dhe interesit publik.

“Kur institucionet nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve, zëri i qytetarëve dëgjohet në shesh. Mbrojtja e natyrës, e trashëgimisë kulturore dhe e interesit publik nuk është pengesë për zhvillimin, por kushti që zhvillimi të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe në dobi të të gjithë shqiptarëve”, thekson Zhupa.

Në fund të reagimit të saj, deputetja u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në mbrojtje të territorit dhe pasurive natyrore të vendit.

“Ju e keni në dorë! Shqiptarët për Shqipërinë!”, përfundon mesazhi i saj.