Vendosni fjalën kyçe....

Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë



Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Çlirimit, duke vlerësuar sakrificën e qytetarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit theksoi se liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së UÇK-së dhe vendosmërisë së aleatëve strategjikë.

“Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, shkroi Begaj.

Presidenti shprehu një falënderim të veçantë për NATO, duke nënvizuar rolin e aleancës në mbështetje të Kosovës gjatë luftës.

“Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë”, vijon mesazhi i Presidentit.

Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë”, përfundon mesazhi i presidentit.