
Kryeministri Rama u bëri thirrje protesuesve të bashkohen me PS-në për të mbrojtur Shqipërinë.
Në fjalën e tij para të mbledhurve në sheshin Italia në 35-vjetorin e themelimit të PS-së, kreu i qeverisë nuk harroi të shigjetonte PD-së dhe partitë e reja.
“Nëse doni të mbroni vërtet Shqipërinë, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku mjedisit, natyrës dhe Shqipërisë, por bashkojuni PS që ka nevojë për këdo që nuk bie dakord për çfarë nuk shkon, por që është gati t’i luftojë bashkë me ne gjërat për t’i bërë më mirë. Me ide, jo me britma, me propozime dhe me të ndenjurat ulur aty në punë, jo veç me video selfie dhe skërmitje, me Shqipërinë në zemër dhe mendjen në punë, jo Shqipërinë në gojë e smirë në zemër dhe hesape në mendje. Jam shumë i qartë që protesta është kthyer me natyrë politike, legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij. Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe kanë hall se po u dëmtohet sezoni, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët dhe fshehin dorën. Njësoj si opozita këtu hedh kënetën e vet e deri te tabakatë që mbi taka, mbledhin ‘like’ duke ecur me pasqyrë përpara. Për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë revolucion, kam simpati dhe jam i hapur të flasim, por mbetem mirëkuptues nëse nuk duan të flasin. Një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë, kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve.”, tha Rama.