Vendosni fjalën kyçe....

Marshimi i protestuesve vijon në Tiranë, thirrje për dorëheqjen e Ramës dhe bashkim qytetar


Me energji dhe vendosmëri, mijëra qytetarë po vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit në kuadër të protestës që ka hyrë në ditën e 11-të.

Nën thirrjet “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Bashkohuni me ne”, “Opozita jemi ne”, “Shqipëri e Re”, “Revolucion”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit po përshkojnë akset kryesore të Tiranës, duke kërkuar ndryshime politike dhe duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike.

Pjesëmarrësit e cilësojnë tubimin si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit, ndërsa numri i protestuesve ka tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve.

Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, më pas u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe mesazhe drejtuar qeverisë. Pas përfundimit të tubimit, qytetarët nisën marshimin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe më të gjerë në ditët në vijim, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen lëvizjes së tyre.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe nesër, me një tjetër tubim në kryeqytet.